Ky është libri i tretë pas "Kambanë e pelcitur dhembja" dhe "Asht e gajk Arbërie" se bashku me Martin Çunin.
"Unazë gjaku" poezi
botoi SHB,"Shtigje" e Klubit letrarë"Gjon Nikollë Kazazi" Gjakovë.Recenzent: Halil Haxhosaj
Redaktor: Din Mehmeti
shtator 2008.
Parathënie për Librin me poezi; ”Unazë gjaku” e shkruar nga poeti i mirënjohur
DIN MEHMETI
POEZI E MESAZHIT DHE DASHURISË QË DUHET TË KULTIVOHET
Poezia e Pal Sokolit, e përfshirë në këtë vëllim është poezi e dhimbjeve të mëdha. Kjo dhimbje që derdhet këtu është shkaktuar nga lufta e fundit e Kosovës, e cila e përgjaku Kosovën, duke pasur si qëllim përfundimtar vrasjet, djegiet dhe pastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga tokat e tyre. Kjo ishte një tragjedi e paparë ndonjëherë për nga urrejtja, fanatizmi, egërsia e barbaria që treguan forcat serbe. S’ është çudi, pra, që kjo poezi del nga thellësitë e shpirtit të poetit me tone të theksuara dhimbjesh, si kujtim i tmerrit i ngarkuar me riga të ngrohta lotësh, të cilët nuk shfaqen haptazi, në mënyrë transparente, po rrjedhin vazhdimisht në brendinë e poetit si një elegji e përjetshme pikëllimi për atë që ndodhi në Kosovë. Autori, Pal Sokoli kishte arsye për të shkruar një poezi të këtillë, kur dihet se lufta ia mori pa të drejtë gjashtë anëtarë të familjes, duke ia djegur e pjekur, duke ia shkretuar plëng e shtëpi vetëm pse ishin shqiptarë.
Përkundër këtyre të bëmave, pra kësaj barbarie, poeti Pal Sokoli nuk shpreh urrejtje ndaj askujt, madje as ndaj vrasësve më të egër, por përshkruan pasojat që shkaktuan ata. gjeste të këtilla bëjnë vetëm poetët e mëdhenj të kësaj bote, të cilët dashurinë ndaj njerëzimit e kanë shumëfish më të madhe e më të fuqishme se sa urrejtjen. I këtillë është Pal Sokoli, dhe për nga natyra e këtillë është edhe poezia e tij, të cilën duhet shikuar jo si lashtësi, por si brendësi. Vlerat artistike shihen në thellësinë dhe brendësinë e saj. Pal Sokoli i ka ikë folklorit politik në poezi, i cili do ta bënte pa vlerë artistike atë. Andaj, poezia e tij vjen si vjen si mendim i ngjyrosur me ndjenja tragjike, për gjithçka që ka ndodhur rreth tij në të kaluarën dhe në të tashmen. Poeti, P. Sokoli, i ka shprehur kujtimet e veta dhe në këtë mënyrë bëhet më i sinqertë, më i afërt dhe më i dashur. Pikërisht kjo arritje e poetit konsiderohet si vlerë, të cilën duhet ta shkrijë në vete poezia e vërtetë. Mbase nuk teprohet nëse përforcohet mendimi dhe bindja se poezia e autorit Pal Sokoli rrjedh pikëllim, trishtim, por edhe optimizëm, e dashuri ndaj njerëzve dhe atdheut, i cili s’ është ky i copëtuar në kufij politikë, por atdheu i natyrshëm i shqiptarëve, atdheu të cilin e kanë projektuar me penë dhe gjak brezat e shqiptarëve gjatë historisë. Poeti është krenar kur flet për këto përpjekje të luftëtarëve të devotshëm të lirisë. Ai, si rilindësit, kthehet në të kaluarën, duke i shprehur vlerat kombëtare me qëllim që të ndikojë te bashkatdhetarët e vet, t’iu ndihmojë atyre me shembujt e trimave të dikurshëm, që t’i çojnë idealet e veta më tej, si: Gjergji i Kastriotëve
Është këngë gjak i Arbrit
Engjëll rreze drite
Atlet i një rruge të bardhë.
Poeti përshkruan rrugën e vështirë nëpër të cilën eci populli ynë gjatë historisë për ta fituar lirinë dhe pavarësinë:
Notuam
Vërshimeve të reja
Ndërtuam ura
Ura gjaku
Ura shprese
Ura drite
Poezia e Pal Sokolit është një zjarrishtë e mendimeve dhe ndjenjave të poetit, një zjarrishtë rri gjithmonë ndezur thellë në qenien e tij. Është një plagë e hapur që pikon vazhdimisht përbrenda. Ajo që e bën këtë poezi më të afërt me lexuesin, më intime, është nostalgjia e poetit ndaj prindërve që i kujton nga mërgimi. Në këto raste ai do të shprehë dashurinë e madhe si mërgimtar ndaj Kosovës në përgjithësi dhe vendlindjes në veçanti.:
Sa herë rruga
Më dridhet nën këmbë
Shoka e babait më shtrëngon
Dhe një zë i ëmbël më vjen
Është zëri i nënës që më këndon
Dhe gjithçka më kujtohet tash
Babai mbante shall rreth plisit
Gjyshi shall e shokë
Që më bëjnë dritë
Shpirt më japin mua në Evropë.
Ndër poezitë më të suksesshme të kësaj natyre ku shprehet dashuria ndaj prindërve është padyshim poezia “Nënat”, ku poeti në mërgim digjet nga malli i madh që e ka marrë për Kosovën:
Nënat na mbjellin
Ca lule me duar të praruara
Jetën na zbukurojnë
Me duart e veta
Na japin atë
Çka na merr jeta
Dashuria dhe nostalgjia e poetit për Kosovën është shumë e madhe. Ajo nuk mund të krahasohet me asnjë dashuri tjetër. Ndoshta mërgimi, kjo plagë e keqe për shqiptarët, i ka bërë shumë të ndjeshëm ndaj atdheut të tyre, Kosovës:
U bëra pelegrin
Dhe gurë u bëra
Duke thirrur Kosovë
Me gjurmë lotësh në sy:
Poezia e vëllimit poetik “Unazë gjaku” të Pal Sokolit, është interesante jo vetëm për nga temat që trajton, por edhe për nga forma dhe përmbajtja. Kjo bëhet më e pranueshme falë figuracionit poetik që përdorë poeti, i cili ia shton vlerën artistike. Ky figuracion i ka dhënë mundësi poetit t’i shprehë të gjithë fshehtësitë që i mbanë në shpirt ndaj objekteve që përshkruan. Figuracioni i tij del paksa i zemëruar, ndoshta për shkak të rrethanave jetësore të imponuara nga jashtë. Në këtë poezi autori ka përdorur figura tradicionale, por nuk mungojnë as ato moderne shumështresore, që u japin vjershave një dimension të ri. Shprehjet metaforike që ia shtojnë vlerën kësaj poezie janë: fushat e Kosovës rrisin lule lotësh, rrudhat ma kanë kapluar ballin, eshtrat tua dorëza lahutash, varrin ta ruajnë legjendat, ëndrrat e djegura, lëndina e pikëllimit, dielli trason rrugën, era përkëdhel lotin, cicërima në erë rigon dritë të etur, zog që fluturon kah shpirtrat, gurët e varreve këndojnë himnin, kambanat pëlcasin nga zjarri i fitoreve, etj.
Këto figura të bukura ia kanë lehtësuar punën poetit për ta shprehur plotësisht atë që ndjenë, pra të veçantën e objekteve që përshkruan. Metaforat e këtilla përbëjnë bukurinë e gjuhës e cila pjellë vargje të skalitura në pikëpamje artistike. Këto figura bindin se Pal Sokoli ka sens për ta gjetur figuracionin e veçantë që poezinë e bën të bukur. Pali dallohet me një ndjeshmëri të theksuar ndaj ngjarjeve të mëdha e të vogla, të sotme apo të shkuara. Nga poezia e tij rrjedh një mesazh i madh, dashuria që duhet të kultivohet ndaj atdheut, ndaj figurave të rëndësishme historike, ndaj luftës së drejtë që bëri populli ynë për ta fituar lirinë e vet, dashuria ndaj prindërve dhe vendlindjes, në këtë poezi ka humanizëm njerëzor që e bën atë më të afërt, më të domosdoshëm për t’u kënaqur me vlerat e saj artistike.
Din Mehmeti-Gjakovë, Gusht 2008.
REPORTAZH nga ALMA PAPAMIHALI
Per promovimin e "Unazë Gjaku"e Pal Sokolit dhe "Krisma e fjalës" Shaban Cakolli
Pasditja e se dielës, 26 Tetorit 2008, nuk kaloi pa lëne mbresa, për shume nga krijuesit dhe artdashësit me banim ne Gjermani. Tashme Lidhja e Krijuesve dhe Artisteve ne Gjermani, me kryetar z. Martin Antoni Çuni, kane krijuar një tradite letrare, ne lidhje me organizimet e këtyre.
Vetëm një jave pas takimit letrar dhe promovimit te librave te rinj, te autoreve Ali Sh Berisha dhe Sadik Krasniqi, një pasdite po aq dinjitoze dhe mbreselërese ishte dhe promovimi i dy librave te rinj te autoreve, Pal Sokoli dhe Shaban Cakolli, te cilët vinin përkatësisht me librat "Unaze Gjaku" (P.S) si dhe "Krisma e Fjalës" (SH.C).
Me pas ne mungese te autorit, u publikua edhe libri publicistik i shkrimtarit Faruk Tasholli,”Afaristë shqiptarë në Gjermani” e sapodale nga botimi dhe qe ka për temë, prezantimin e dhjetë afaristëve shqiptarë në Gjermani, me një parathënie te z. Daut Demaku.
Kjo pasdite letrare e cila u zhvillua ne qytetin e Essenit, pati si moderator dhe prezantues te saj krijuesin dhe aktorin shqiptar me banim po ne ketë qytet te Gjermanisë, z. Liman Zogaj, i cili me shume seriozitet dhe perpikmeri, ndihmoi ne përgatitjen e ambientit dhe drejtimin e gjithë kësaj pasditeje letrare.
Ne qendër te skenës, pas përshëndetjes se dy autoreve, te cilët edhe pse prezantonin librat e tyre te rinj, nuk ishin aspak te rinj për publikun ne salle,përkundrazi shumë prej tyre kishin ardhur nga qindra kilometra larg për te marre pjese ne promovimin e këtyre autoreve te mirënjohur për lexuesin shqiptar.
Morën pjese shume autore, anëtare te LSHAKSH - Gjermani si: Martin Çuni ( kryetar), Naser Halili (sekretar), Dibran Demaku, Hasan Qyqalla, Avni Aliu, Dr. Kolë Daka, Bashkim Osmani, Fehmi Sopi, Vehbi Musa , Hajdar Salihu, Rexhep Buqaj,Valon Shkreli (i biri i poetit te madh Azem Shkreli), Musë Mulolli (recitues), Asllan Dibrani,Rrustem Geci...etj. (përveç autoreve qe promovonin).
Letrën përshëndetëse te z. Mehill Velaj , nënkryetar i Shoqatës Shqiptaro-amerikane Stamford CT USA, dërguar në mënyrë elektronike e lexoi studentja Majlinda Tafa.
Pjesëmarrja e studentëve shqiptarë qe studiojnë në Universitet e kësaj treve të Rurit, ishte e gjere dhe te binte ne sy gjate kësaj mbrëmjeje. Ky takim i tyre me LSHAKSH-në Gjermani tanimë është bërë tradicional, me qendër ne Bochum.
Pasditja nisi me fjalën përshëndetëse te z. Liman Zogaj, i cili tregoi qëllimin e kësaj pasditeje, dhe se pari foli kryesisht për revistën e re te realizuar nga kjo Lidhje Autorësh..."Muza Shqiptare". Në emër të studentëve, takimin e përshëndeti studentja e organizatës studentore te shqiptareve ne Bochum, i cila ju uroi poeteve qe promovonin (Pal Sokoli dhe Shaban Cakolli) shume suksese ne krijimtarinë e tyre.
Nota te forta emocionuese u arritën pas recitimit mjaft te arrire te zotërinjve Naser Halili dhe Musë Mulolli, te cilët kishin zgjedhur disa nga poezitë me kulmore te librave te rinj.
Një recension mbi vlerat dhe përmbajtjen e plote te librit te z. Pal Sokoli, mbajta unë (Alma Papamihali) duke i quajtur vargjet e poetit vullkan, sepse vetëm një krahasim i tille është i përshtatshëm për poezitë qe lindin nga dhimbja.
Vargjet e Ciklit te pare "Ninullat e rritës" tingëllojnë shume familjare për poetin. Disa poezi për nënën e cila ka zënë me te drejte vendin kryesor te këtij cikli, por qe njëkohësisht është një figuracion poetik, qe bën paralelizmin e nënës me Kosovën. Nena simbolizon rrënjët, traditat, këngën dhe ninullat...pra me një fjale te vetme Kosovën, shqiptarizmin.
Mërgimi është një faktor jetësor, qe ka ndikimin e vet ne këto poezi. Ai është ushqimi kryesor i këtyre poezive...
"Mbi lotët tanë,
dige e bëmë trupin
ndërtuam ura te reja
ure gjaku, ure drite... "
Aty ku ekziston gjak i derdhur, ekzistojnë lot..dhe shpesh autori shpreh rrugën e vështire dhe te dhimbshme qe iu desh te përshkruante populli ynë gjate këtyre viteve, por njëkohësisht pasqyrohet fare qarte, se si përtërihet ai nëpërmjet vargjeve...
"Lulëzuam nen rrezet e një agimi
u lidhem kurore ne një sofër bashkimi..." (Mozaik Ilir)
Një kulm i vëllimit poetik te poetit Pal Sokoli ishte dhe poezia "Lakimi i Metaforave" ku edhe me gjate dhe hollësisht tek kjo poezi, u ndal krijuesi Vehbi Musa, i cili analizoi vlerat artistike dhe letrare te poetit, dhe poezinë e tij qe ne ketë vëllim te trete te poetit ka evoluar dhe pasuruar edhe me shume. Gjithashtu fjalën e mori edhe Z. Liman Zogaj, i cili recitoi disa nga poezitë e autorit dhe i uroi suksese te mëtejshme.
Me pas recensioni kryesor i vëllimit poetik te librit te ri "Krisma e fjalës" e mbajti shkrimtari z Dibran Demaku, i cili nder te tjera tha, se e shihte te rastit te citonte këtu thënien e Rexhep Qoses..."Nëse poezia ka muzikalitet dhe kuptim, atëherë ajo ja ka arritur qëllimit te vërtetë" ...Pikërisht poezia e Shaban Cakollit ka muzikalitet, kuptim, por edhe force te madhe...
"Kjo krisme e vargjeve
është gjaku im, dhimbja ime
fati im ne jete..."
Vargjet e poetit janë vargjet e çdo mërgimtari. Ato karakterizohen nga një force dhe ndjesi madhështore, qe prek ndjenjat dhe tërheq vëmendjen e çdo lexuesi.
"Jam shume larg
vete syrgjyn
me një gote
dhe tym duhani
rendis ditët
ne rruazat e vitit..."
Me pas lexuan poezi dhe dhanë përshtypjet e tyre mbi poezitë e poetit z. Shaban Cakolli, edhe krijues dhe shkrimtare te tjerë, nder te cilët z. Hasan Qyqalla, z. Avni Aliu, z. Rrustem Geci...etj
Një diskutim te rëndësishëm gjithashtu, mbajtën edhe piktori dhe artisti z. Asllan Dibrani si dhe z. Avni Aliu, te cilët përveç vlerësimit te autorëve dhe poezive te tyre, u ndalen me gjerësisht mbi organizmin dhe rendësin e këtyre takimeve letrare. Gjithashtu ata shprehen komplimentet e tyre mbi revistën "Muza Shqiptare" e cila kurorëzoi fillimin e një nisme te re dhe shume te rëndësishme, dhe është një dere e hapur për te gjithë krijuesit jo vetëm ne Gjermani,por kudo qe ndodhen ne diaspore.
Një atmosfere edhe me festive dhe shqiptare, krijoi pjesëmarrja e grupit artistik te vajzave valltare, te cilat interpretuan disa valle shqiptare, dhe i shtuan kësaj pasditeje letrare vlera te pasur nga folklori ynë.
Një surprize e veçante ishte pjesëmarrja e këngëtares tanimë te njohur për publikun artdashës, pjesëmarrëse e rregullt nëpër organizime kulturore, Enjes Alija, e cila vinte me një prezantim të saj,pas pjesëmarrjes ne festivalin e këngëve për fëmijë ,ku edhe fitoi çmimin e dyte ne në Tetove.
Gjithashtu studentja Hyre Sutaj, këndoi ne akapele vargjet e "Mëmëdheut" te rilindësit te madh Çajupi, duke i emocionuar te gjithë te pranishmit ne salle. Dy autoreve ju uruam suksese ne ketë promovim dhe veprimtari letrare, te cilat vazhdojnë te zhvillohen ne kuadrin e aktiviteteve qe organizon lidhja e krijuesve dhe artisteve ne Gjermani.
Një surprize e vërtetë ishte dhe inskenimi qe z Liman Zogaj, i kishte bere poezisë "Nga jam" (e Alma Papamihalit) se bashku me gjimnaziste te shkëlqyera Abelinda dhe Abetarja, te cilat me shume talent recituan këto vargje nen tingujt e këngës " Mall" te këngëtares Shkurte Fejza.
Një fjalim falënderues për udhëheqjen e shkëlqyer te z. Liman Zogaj, për pjesëmarrjen e te gjithë krijuesve dhe dashamirësve te letërsisë, mbajtën dhe autoret e këtyre librave te rinj, qe ishin edhe personazhet kryesore te pasdites, z. Pal Sokoli dhe z. Shaban Cakolli.
Pas kësaj ceremonie, u shpërndanë libra dhe autograme nga autoret ne publik, u shkëmbyen disa mendime dhe pyetje rreth librave dhe anëtarësisë ne lidhjen e shkrimtareve, u bene fotografi mes autoreve dhe publikut etj.
Vlen te përmendet edhe ulja ne tryeze e shume anëtareve pjesëmarrës ne Lidhjen e Krijuesve ne Gjermani, te cilët diskutuan disa pika kryesore, siç ishin numri i dyte i "Muzës Shqiptare", aktivitetet e ardhshme, sugjerime dhe propozime te ndryshme mbi organizimet dhe promovimeve te reja etj, si dhe përgatitje te organizimit, përgjatë festes se 28 Nëntorit.
Me sa duket puna e shume krijuesve qe shkruajnë dhe punojnë ne mërgim dhe kryesisht ne Gjermani, po vihet ne binaret e duhur. Megjithatë ne vazhdojmë te jemi te hapur për çdo sugjerim, mendim apo anëtarësi te re. Vetëm duke u bashkuar se bashku ne te tilla aktivitete kulturore dhe artistike, do mundemi te mbajmë te gjalle dhe te freskët traditat dhe artin e mrekullueshëm shqiptar.
PAVARËSI DUA
Me krahët e djegur
Dikur fluturoja nëpër botë
E të prija unë Evropë
Brenda Qiellit dhe Tokës
Engjëj të dhashë plot
Shën Albanin, Florin, Laurin
Shën Jeronimin e Papë Kelmendin
Ta dhashë Nënë Terezën
Më të madhen Nënë në Botë
E ti çka më dhe mua
Pavarësi dua Evropë ...
GJERGJËVE
Gjergji i Kastriotëve
Këngë gjaku i Arbrit valë
Engjëll rreze drite
Atlet i një rruge të bardhë
Ndër lule Shëngjergji
Pranverave do të lulëzojë
Nga Kisha e Shën Nikollës
Varri Yt thërret shpatën në Vjenë
Të vetmin asht të mbetur
O Patër Gjergj Zadrimori
Pena jote është gjallë
Me heronj të kohës
Do të mbetet kohërave
Në këngë në skenë
Do të rrahë në zemër
Dashuri e gjak
O Patër Gjergj Fishta
Bariu ynë i bardhë
Homeri ynë i rrallë
Eshtrat e tua dorëz lahutash
Skelete poezie eshtrat e tu
Varrin ta ruajnë legjendat
Plagë e plagës së hapur në fjalë
Bajlozi dha shtatë shpirtra.
QYTETI XII
Lehtas sodis këtë arkitekturë
Që flet me mua
Thjesht kërkon nga unë
Një emër
Një gjuhë
Një flamur
Brigje përpijnë baticat kryeneçe
Shkëmbinjtë buzëdetit
Shpalojnë hieroglife
Heshtjen e thërras më emër
Pa shtesa a leqe
Dielli më nxinë
Me rreze të thyera
kryqe.
Në sahatkullë akrepat
Ndaluar në XII
Ilirët këmbëkryq
Mbi gurvarrin e vet
Hunë e sarmatë zbresin
Me hark e heshtë
Një kohë e gdhendur
Freskë mureve reshë.
Përtej trotuareve një rrethojë
Ca gurë rrumbullakë
Më shikojnë si sy
Një grusht dhé u gjuajta
Sipër si rigë
Epitafet e shkruara
Si rreze shkëlqyen
Skeletet këmbëkryq
U ngritën në parakalim
U prezantuan të gjithë
Me një zë e himn
Ilir, Ilir, Ilir.
(Ilirska Bistrica, më 02.12.1986)
KATEDRLA E KËLNIT
Zemërmadhe hyjni
Me 1001 shenjtër
Që mban brenda
Oh sa i vogël u ndjeva
Nën 1001 kupolat e tua
Që i suleshin qiellit
Me 1001 mëkatet tona
Gjithçka më mahnit
Arkitektura brilante
Edhe shtrirja e truporeve
E 1001 shenjtërve
Më i madh se ti u ndjeva
Kur pash Shën Albanin
Mes shenjtërve shtrirë
Dhe dora ime e shkreta
E zgjatur më kishte mbetur
Dhe zemra më ishte mpirë.
( Më 16.06.1007, Këln)
SIKUR ...
Sikur Gjergj Kastrioti
Ta shihte Sulltanin
Të ulur këmbëkryq
Në Kullën e Qëndresës
Në Krujë
ka puth Flamuj?
Sikur Hitleri i ringjallur
Të shihte fytyrën e tij
ne pasqyrë
Të nxirë?
Athua vallë
A do të bënin
(Vetë)vrasje.
LAKIMI I METAFORAVE
Emërore: (I)Kosova,(II)Kosova,(III)gjaku
Gjinore: (I) i,e Shqipërisë,(II) i, e martirëve,(III) i, e lirisë
Dhanore: (I) lirisë, (II) luftës, (III) dashurisë
Kallëzore: (I) fitoren, (II) jetën, (III) rrugën
Thirrore: (I) O shqiptarë, (II) O bashkim (III)O Zot
Rrjedhore: (I) prej gjakut, (II) prej hijeve, (III) prej tradhtarëve.
I
Emërorja e thërret në shumës thirroren
Gjinores t’ia kthej një copë gjeografi
Të shkëputur baticave dhe zbaticave
Të rrjedhores pa thirroren
Konferencave të nëmura.
II
Ende nëpër emërore
Sillën rrjedhoret
Që pa turp luajnë
Me kallëzoren e gjinores
Që kallëzoren ia falën emërores.
III
Thirrore ruaje
Kallëzoren e dhanores
Nga rrjedhorja
Emërorja u beftë tempull
I gjinores së përjetshme.
lV
Oh thirrjet e mia
Ju nxjerr nga kjo poezi
Si thirroren nga rasat
Kur gjeografia ime e copëzuar
Bashkohet përsëri.
(Qershor, 2006, Wupertal).
Klilko faqën tjetër Asht e gjak arbërie