Heroi dhe patrioti: Gjergj Sokoli

Mirë se erdhët në faqen e Autorit: Willkommen auf der persönlichen Webseite von: Pal Sokoli

Këngë për Heroin Gjergj Sokoli, nga këngëtari:  Rifat Berisha

https://www.youtube.com/watch?v=loc5OsYGEQU

Këngë për heroin Gjergj Sokoli nga këngëtaret: Motrat Bushi

https://www.youtube.com/watch?v=_kxHIpDEDzg

 

 

 

 Gjergj Sokoli.

Hero i Republikës së Kosovës i shpallur nga Presidenti Ibrahim Rugova dhe i dekoruar me medaljen "Luftëtar i Lirisë,Adem Jashari"nga Presidenti Fatmir Sejdiu.

 

     

Gjergj Sokoli

 

n

Pal,Verë, Marte,Age dhe Sotir Sokoli, te varri i heroit Gjergj Sokoli, te Varri i Gjergjit në "Lendina e Pikllimit" Meje

Kastrioti, Kaltrina, Kreshniku dhe Antoni   ( të katër trashegimtarët e Gjergjit)

 

 

Rilindja me 25.tetor 1993, një ditë më parë ishim transferuar në burgun e Pejës,pas shtat ditë malteretimi ne stacionin e policisë në Gjakovë

 

Këshilli për te drejta të njeriut në gjuhën gjermane,për grupin tonë

 

Shpallja "Hero i Kosovës" nga presidenti Ibrahim Rugova, ne shenimin e pesëvjetorit të rënjes se Gjergjit

Pjesë nga fjalimi i Presidentit; Ibrahim Rugova,për Gjergjin

Presidenti Rugova,Imz.Mark Sopi dhe Prof.Mark Krasniqi me familjen e Gjergj Sokolit: Homazh për Heroin Gjergj Sokoli

President Rugova pershendet Familjen e Gjergjit

     

Prishtinë 26 prill 2009,Kryetari i Kosovës dhe bashkëveprimtar i Gjergj Sokolit, Fatmir Sejdiu dekoron Gjergjin me medaljen "Luftëtari i Lirisë,Adem Jashari"

Kaltrina dhe Anton Gjergj Sokoli me foton e babait te tyre Gjergjt gjatë Homazhit                                    Skica nga shtypi i ditës për përkujtimin e 10 vjetorit të rënjes

 

1. 2. 3.

1. Foto nga vitet e 90-ta Gjergj,Age,Kreshnik,Kaltrinë, Anton dhe Kastriot Sokoli.  

2. Foto nga viti 1985                                                                        

3. Foto kur Gjergji pa deshiren e tij sherben ushtrinë jugosllave 1985,me bashkëshorten Agën

 

Gjergj në kohën e lirë kishte pasion kultivimin e pemëve dhe Kopshtin e tij.

Edhe nje tjetër shkrim rreth perkujtimit të 10 vjetorit dhe shpalljes "Luftëtar i Lirisë,Adem Jashari"

 

http://www.trepca.net/2003/0903/030915-ms-opin-meja.martire-gjergj.sokoli.htm

 

Meja martire i dha lamtumirën e fundit dëshmorit të kombit Gjergj Sokoli
15 shtator 2003 / Shkruan: Mevlude SARAÇI
 
Prindërit, bashkëshortja, të katër fëmijët dhe tetë motrat ia dorëzuan dritën e syve tokës martire të Kosovës, njeriun që u betua për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Gjergji kishte lindur më 22 prill 1961 dhe u vra nga kriminelët serbë më 27 prill 1999 në Meje.
 
Dje ishte ditë e diel. Ditë e dhembjes krenare. Meja ngriti kokën lartë dhe hapi krahët për ta përqafuar trupin e pajetë që shtegtoi aq gjatë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
Që nga dje në Meje do të prehet trupi i birit të hasretit, vëllait të tetë motrave, bashkëshortit dhe babait të katër fëmijëve, pedagogut, profesorit të sociologjisë, aktivistit, themeluesit të Degës së LDK-së në Gjakovë, ish-deputetit të Parlamentit të Kosovës, humanistit dhe njeriut, ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjergj Sokolit.

Babai Pjetri nga fshati Madanaj dhe e ëma Gjystja kishte rritur dhe edukuar me krenari nëntë fëmijë; Tetë vajza dhe të vetmin djal Gjergjin. Motrat ishin kujdesur për të si për dritën e syve. Por edhe Gjergji i vogël kishte vendosur që të bëhej nxënës i dalluar dhe fëmijë shumë i edukuar.

Gjithnjë dallohej nga nxënësit e tjerë në fshatin Madanaj gjatë shkollimit të tij fillor për të vazhduar pastaj shkollimin e mesëm në Gjakovë.

Udhëtimi nga fshati në qytet e anasjelltas nuk e pengonte që ai të jetë vazhdimisht më i dalluari në shkollë. Familja e tij ishte shum e kënaqur me sukseset e të birit dita më ditë.

Tanimë ai i kishte dyert e fakultetit të hapura, me ç'rast zgjodhi Fakultetin filozofik-drejtimin e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Shumë shpejt u bë i dashur për të gjithë profesorët e në veçanti për akademik Fehmi Aganin. Me punë e përkushtim kreu fakultetin dhe u kthye në vendlindje për t'ia ngrohë sërish vatrën e babë Pjetrit dhe nënë Gjystes, por edhe për të vazhduar përkrahjen për të tetë motrat e familjes Sokoli.

Gjergji krahas mësimeve kishte zënë dashuri me Agen, studenten e dalluar e cila poashtu diplomoi ne drejtimin e sociologjisë dhe me të cilën vendosi edhe të lidhë kurorë.

Çifti i ri e mbushi shtëpinë me katër fëmijë të bukur, tre djem e një vajzë, të cilët filluan të ndjekin hapat e prindërve.

Gjergji mori ditarin në dorë dhe u betua se do të arsimojë brezat gjithnjë duke ruajtur frymën kombëtare.
Kosovën e kishin kapluar trazirat nga okupatori klasik dhe popullata e Kosovës ishte ngritur në këmbë.
Gjergji po ashtu. U fut në bërthamat e para të themeluesve të Degës së LDK-së në Gjakovë që në vitin 1989. Edhepse ishte djali i vetëm ai nuk kursente asgjë nga vetja vetëm e vetëm që Kosova të frymojë në liri.

Policia kriminale serbe ia kishte vënë syrin Gjergjit dhe e përcillte çdo lëvizje të tij. Dhjetra herë e arrestuan dhe e torturuan në organet policore në Gjakovë, por sapo e lironin ai nuk ndalej, por vazhdonte aktivitetin e tij.

Në një rast Gjergjin dhe dhjetra aktivistë dhe klerikë nga Gjakova e arrestuan dhe e mbajtën disa muaj në paraburgim, përderisa intervenuan Vatikani dhe Qeveria e SHBA-ve.

Ai doli nga burgu edhe më i vendosur dhe vazhdoi punët me intensitet edhe më të madh.
Me urtësinë e tij ai ndihmonte që të ulen tensionet dhe të pajtohen gjaqet.

Nxënësit e shkollës së mjeksisë "Hysni Zajmi" kishin bërë një anketë dhe e shpallën si profesorin më të mirë. Kolegët e donin dhe e çmonin pa masë. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Dega në Gjakovë, Gjergji ishte anëtarë i kryesisë, ndërkaq në nivelin e partisë ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Përgjithëm.

Në zgjedhjet Parlamentare dhe presidenciale në vitin 1998 Gjergji fitoi votat dhe u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje Kushtetuese.

Me rastin e konstituimit të Parlamentit të Kosovës më 16 korrik 1998 ai dhe deputetët tjerë u betuan se do të angazhohen me përgjegjësi dhe ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Lufta në Drenicë i mobilizoi edhe më shumë të gjithë aktivistët, në mesin e të cilëve edhe Gjergj Sokolin që të ndihmojnë rreth evakuimit të popullsisë së përndjekur, por edhe bashkëpunimin me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zona të ndryshme të luftimeve.

Sulmet e NATO-s e gjetën Gjergji Sokolin në mesin e ushtarëve të UÇK-së në Regjionin e Rekës së Keqe, ndërkaq familja e tij ishte përndjekur bashkë me banorët tjerë të Rekës së Keqe përtej kufirit.

Më 27 Prill Meja u bë arenë e vrasjeve dhe krimeve mbi popullatën e pafajshme.

Në Meje u ndaluan mbi 500 veta. Ende nuk dihet për fatin e të gjithë atyre që u dërguan në drejtim të panjohur.
Kriminelët pushtues e kishin vrarë dhe varrosur Gjergjin në varrezat e Mejes për ta fshehur krimin.
Tribunali i Hagës pas luftës e zhvarrosi kufomën e Gjergjit dhe e dërgoi në Institutin e Mjeksisë Ligjore në Rahovec ku pas analizës së testit me ADN u bë identifikimi.

Gjakova dhe qytetarët e saj kanë shpresuar se një ditë do të kthehet Gjergji i gjallë, por sot po e shohim se Gjergji e fitoi pavdeksinë, ai po kthehet si dëshmor i kombit i cili u ngrit në altarin e lirisë.

Të gjithë ju që e keni njohur Gjergjin më nuk do të pyesni kur do të kthehet.

Ja a e shihni ai u kthye i pavdekshëm mes nesh, ai do të jetojë përherë në lirinë e Kosovës, në kujtesën tonë, në zemrat tona.

Ai e mbajti betimin e dhënë. Ndërsa ju mos e qani, por qëndroni krenar dhe sillni lule se ai i deshi shum lulet e lirisë.

Shikoni si qëndrojnë krenar Kreshniku, Kaltrina, Antoni dhe Kastrioti për babain dëshmor. Edhe ata janë betuar se kurrë më këmbë shkau nuk do të shkelë në tokën e Mejes martire.

 
(Autorja është Deputete e Kuvendit të Kosovës)
Marrë nga: QIK-Opinione 15.09.2003

 

GJERGJ PJETËR  SOKOLI


Gjergj Sokoli u lind më 22.04.1961 në fshatin Madanaj komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, derisa të mesmen normale në Gjakovë. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës studioi drejtimin filozofi – sociologji. Te Gjergji që në moshën rinore ishin të brumosura idetë kombëtare, përkrahte të gjitha lëvizjet e ndryshme qoftë legale apo edhe ilegale për të drejtat nacionale shqiptare. Gjergji porsa kishte filluar studimet në vitin 1981 kur lëvizja studentore ishte në vlugun e shpërthimeve të cilat edhe kulmuan me demonstratat e njohura gjithë studentore. Këtyre demonstratave u bashkëngjit edhe Gjergji me shumë shokë qoftë me pjesëmarrje apo edhe me organizimin gjegjësisht bojkotimin e ligjëratave brenda degës ku studionte. Pas studimeve Gjergji filloi punën në qendrën e mesme arsimore “ Hysni Zajmi ” të Gjakovës dega e mjekësisë nga viti 1989 deri 1999 për dhjetë vite me radhë. Aty Gjergji u prit mirë nga rrethi mësimdhënës dhe gjithashtu nga nxënësit që gravituan në këtë shkollë. Për punën e përkushtuar mori edhe mirënjohje “ Profesor i dalluar” nga LASH-i  K. K Gjakovës në vitin shkollor 1989/99 si edhe nga një anketë e gazetës rinor të qytetit të Gjakovës u shpall si profesori më i dashur për të rinjtë  dhe të rejat e këtij qyteti.  Këto vite ishin të ngjeshura edhe më shumë ngjarje politike kështu që as Gjergji nuk mund të rrinte pasiv kundrejt tyre duke dhënë kontributin e vet.  Aktivitetet në ilegalitet ishin me shumë rrezik dhe shpeshherë aktivistë te shumtë binin edhe pre e hetimeve dhe ndjekjeve policore serbe dhe  dënoheshin me vite e vite burg. Dalja publike e  lëvizjes demokratike ishte një shans më shumë për shumë aktivist që me zemër dëshironin të kontribuonin për drejtimin dhe ndikimin në gjithë ato ndryshime që imponoheshin nga regjimi i Beogradit. Gjergji me përkushtim ju bashkua kësaj lëvizje dhe në vitin 1989 formoi nëndegën e LDK -së në bashkësinë lokale të Ramocit. Gjergji i’u përmbajt edhe motos se mjetet demokratike janë të përshtatshme kundruall një sistemi demokratik por në këtë rast kur kishim të bëjmë më një sistem policor serb, nuk e shihte të mundshme lirinë e Kosovës vetëm me aktivitete demokratike dhe fillon aktivitetin në komisionin kundër fatkeqësive elementare që vepronte në kuadër të programit të LDK-së dhe se në kohë mori përsipër aktivitete mbrojtëse në raste rreziku. Ky komision vepronte pavarësisht nga aktivitetet publike politike të LDK-së dhe arriti deri aty kur formuan listat e kandidatëve të mundshëm të mobilizimit me të gjitha të dhënat dhe profesionet e mundshme në raste mobilizimi për luftë. Listat u formuan në të gjitha degët dhe nëndegët e LDK-së. Gjergji veprimtarinë e tij krahas aktiviteteve demokratike, zhvillonte edhe aktivitete në kuadër të Komisionit kundër Fatkeqësive Elementare të cilën e kryesonte Sokol Dobruna, Murteza Nura, Mazllom Kumnova etj. Ky komision mblidhte të dhëna rreth lëvizjeve dhe aktiviteteve që zhvillonin okupuesit serb. Shqyrtoheshin edhe mundësitë e kundërveprimeve dhe publikimin e akteve kriminele serbe në institucionet ndërkombëtare dhe këshillit për të drejtat e njeriut. Gjergji kontribuoi shumë me aktivitetet e veta për të mbledhur dhe për ti publikuar ku duhej aktet e dhunshme në masë dhe akte kriminele nga pushtuesi serb. Kishte edhe një rrjet të gjërë nëpër çdo nëndegë me njerëz të besueshëm. Me aktivitetet e veta i ra në sy pushtuesit dhe me 19 tetor të vitit 1993 burgoset me gjashtë aktivistë të tjerë dhe dy priftërinj të Kishës Françeskane të Gjakovës (Frati Françeskan Ambroz Ukaj, Profesor Gjergj Sokoli, Profesor Pal Sokoli, Profesor Gjon Komani, Dr. Tomë Komani, Luz Berisha dhe Hazyr Prushi). Ky grup që më vonë u quajt “Grupi i priftit” u mbajtën në hetime në polici të Gjakovës pesë ditë, me ç’rast u keqtrajtua shumë fizikisht dhe psiqikisht nga policë dhe hetues serb. Pas pesë ditësh keqtrajtimesh u dërguan në burgun hetues në Pejë. Ky ishte grupi i tretë apo tetëshja e tretë nga Gjakova. Sipas marrëveshjes pas burgosjes së një tetësheje rolin e organizimit e merrte tetëshja tjetër. Fati i kësaj tetëshje ishte se me ta ishte i burgosur edhe Pater Ambroz Ukaj. Patër Ambrozi  ishte gjithashtu shumë i keqtrajtuar, atë e kishin detyruar të pranoi se gjoja gjatë shpërndarjës se ndihmave popullit skamnorë, ai u ka shpërndarë edhe armë së bashku me ndihmat. Për këtë gjoja kishin edhe dëshmitarë që emrat e tyre figuronin në aktpaditë tona.

Patër Ambrozi nuk kishte pranuar kurrsesi, jo vetëm për veti po ashtu mund ta komplotojë edhe gjithë misionin e Shoqatës “Nëna Tereza” dhe misioneve tjera humanitare. Patër Ambrozi qëndroi në burg për aq sa qëndruam edhe ne të tjerët. Gjergji ishte hallkë e fort e organizimit dhe e mobilizimit edhe ushtarak në komunën e Gjakovës. Nuk i frigohej as burgosjes e as edhe vdekjes. Prandaj vazhdonte aktivitetin në përpilimin dhe zgjerimin e listave të mobilizimit deri në burgosjen e tij. Gjergji nuk u ligështua fare në burg edhe pse ishte djali i vetem  i Pjeter Sokolit. Ishte djali i vetëm dhe vlla i tetë motrave më të rritura dhe më të vogla se ai. Edhe në burg kërkonte kontakt me mua dhe me aktivistët tjerë të besueshëm të tij. E them të besueshëm pasi që kishim përvojë të tillë që nëpër grupe të të burgosurish, UDB-ja fuste edhe njerëz të tyre. Pas pezullimit të aktakuzës në dhjetor të vitit 1993 që ishte vetëm një tendencë e policisë serbe të lironte nga grupi Patër Ambrozin. Imzot Nikë Prela kishte njoftuar Vatikanin dhe Papa Gjon Pali II kishte bërë një notë pakënaqësie për burgosjen e predikuesve të fesë katolike në Kosovë ministrit të punëve të jashtme që kishte shkuar në Vatikan për të kërkuar ndihma humanitare. Pas këtij reagimi, shteti policor serb tentoi të liroi Patër Ambroz Ukajn nga burgu pa pjestarët e tjerë. Patër Ambrozi e kishte kundërshtuar këtë akt tinzar të tyre duke kërkuar me këmbëngulje lirimin e gjithë grupit. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme pezulluan përkohësisht aktpadinë e grupit dhe na liruan të gjithë grupin. Unë porsa mbërrita në shtëpi një skadrile policore hyri në oborrin tim dhe me lanë një ftesë për të nesermën në ora tetë të lajmrohem në stacionin famkeq të policisë. Unë jo që nuk u paraqita kurrë por në konsultim me Prof. Bardhyl Qaushin mora rrugë drejt kufirit të hekurt shqiptar. Gjergji nuk lëvizi kurrë nga Kosova e tij. Gjergj Sokoli vazhdon aktivitetin sikur edhe më parë. Gjergji zgjedhet deputet i Kuvendit të Republikës se Kosovës dhe me 16.07.1998 në Parlamentin e Kosovës u betua duke marrë besimin e popullit dhe obligime të rëndësishme në mirëvajtjen e institucionëve shtetërore. Për të kontribuar për këto institucione ishte një sfidë për pushtuesit serb, për çka edhe ftohej shumë shpesh në biseda”Informative” vetëm për ti bërë presion dhe për ta frikësur e zbrapsur nga aktivitetët kombëtare. Gjergji pak kohë para lufte kishte shkuar për pak ditë në Zvicërr në vizitë pothuajse lamtumirëse të motrave dhe prindërve të tij. Në një bisedë telefonike që u ndëgjuam për herë të fundit mbi një orë, e luta të mos kthehët më në Kosovë. I shpreha hjekat e mia të udhëtimit deri në Gjermani derisa Gjergji kishte atë mundësi të mos kthehej në atë acarim të ashpër të nacionalizmit genocidial të pushtetit serb. Gjergji më kundërshtoi kategorikisht. “Si mundësh me më thënë kështu bac, ti vetë u përbejshe se nuk do ta leni atdheun. Unë bac kam vendosur të kthehem prap në Kosovë. Më kanë mbetur disa punë në gjysmë bac”. Gjergji u kthy prap në Kosovë dhe vazhdi aktivitetin e tij. Tani ishte në prag shpërthimi i luftës. Gjergji ishte në krye të organizimeve edhe ushtarake në terenin e tij. Gjergji ishte hallkë lidhëse e komunës se Gjakovës me Komunën e Deçanit, gjegjësisht me Junikun. Duke qënë edhe vet si deputet i Kuvendit mbronte gjithmonë linjën institucionale të organizimeve. Shih për këtë edhe ka hasur shpesh në kundërshtime të ashpra të disa grupeve jashtë institucionale që bënin presion të uzurponin të gjithë përgatitjet e deriatëhershme. Gjergji nuk pranonte të futen në shtratin e shtruar mirë nga institucionët e zgjedhura shtetrore grupe të tilla ‘marksiste – leniniste’ që pa vetëdije apo edhe me vetëdije u bënë hallkë e mundshme përçarje në luftën që plasi më vonë. Gjergji me guxim të pashoq dhe me maturi urtaku shpeshherë u bë simbol i pajtimit dhe bashkëveprimit në radhë të parë për Kosovën e lirë. “Lufta në Drenicë i mobilizoi edhe më shumë të gjithë aktivistët, në mesin e të cilëve edhe Gjergj Sokolin që të ndihmojnë rreth evakuimit të popullsisë së përndjekur, por edhe bashkëpunimin me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zona të ndryshme të luftimeve.


Sulmet e NATO-s e gjetën Gjergji Sokolin në mesin e ushtarëve të UÇK-së në Regjionin e Rekës së Keqe, ndërkaq familja e tij ishte përndjekur bashkë me banorët tjerë të Rekës së Keqe përtej kufirit” 


 


 Një kopje e botuar ne gazetën“Rilindja“ 25.tetor.1993 kur nga policia e Gjakovës grupi ynë dërgohet në burgun hetues ne Pejë (informon KI i LDK-së). 


Informator të këshillit për të drejtat e njeriut në gjuhën gjermane.


Nga një vizitë qe Imzot Nikë Prela kishte bërë në Vatikan kishte aktualizuar rastin e burgosjes se grupit tonë të quajtur”Grupi i Priftit”, burgosjen e pafajshme të shqiptarëve pikërisht në një kohë kur ministri i punëve të jashtme kishte shkuar për një vizitë në Vatikan dhe kishte bërë një kërkesë për ndihma humanitare. Me parainformimin  nga Imzot Nikë Prela që i kishte bërë Vatikanit, jo vetëm që nuk i’u premtua asnjë ndihmë por edhe i’u bë vërejtje për keqtrajtimin e popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë. Këtë e pohon edhe vetë Imzot Nikë Prela pas kthimit nga Vatikani në një intervistë dhënë Shkrimtarit, gazetarit dhe publicistit Faruk Tasholli, prej nga edhe nxora një pjesë të intervistës ku përmend grupin tonë.


SHQIPTARËT NUK PAJTOHEN

ME TRAJTIME JOMERITORE

Nga Faruk Tasholli

( Pjesë nga një Intervistë me Imzot Nikë Prelën, Ipeshkv i Ipeshvisë së Kosovës, e bërë në dhjetor të vitit 1993 për gazetën FORUMI, që aso kohe dilte në Prishtinë me drejtor Shaip Beqirin dhe kryeredaktor Adem Demaçin)

(përveç tjerash shkëputem rastin e grupit ”Priftit”)


Faruk Tasholli: Jemi të interesuar me këtë rast të dimë edhe për gjendjen në Ipeshkvi, kur dihet se populli ynë jeton nën dhumë e terror, sigurisht që as ju nuk shpëtoni lehtë.

Nikë PRELA: Rasti i fundit që na e ka tërhequr vëmendjen ishte burgosja e një frati françeskan nga Gjakova, me një akuzë të pathemeltë e të trilluar, sepse impostacioni ka qenë i rrejshëm, nga që ditën kritike, e cila ishte në pyetje, frati as që ka qenë këtu, por ishte në Shqipëri. Ai definitivisht ka dalë prej burgut me gjithë grupin i cili është akuzuar e burgosur me të. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe përpara, por janë përsëriur shumë brenda këtyre 50 vjetëve, kurse kohët e fundiut bie në sy orientimi i pushtetit për t'i akuzuar shqiptarët e pafajshëm për të dëshmuar disi fajësinë e tyre kolektive. Unë prapë do të ndërmarr hapa përkatës për mbrojtjen e së drejtës dhe të së vërtetës.


Fjala e Presidentit historik të Dardanisë, Ibrahim Rugova dhe shpallja Hero i Kosovës me rastin e pesëvjetorit të rënjës se Gjergjit.


FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU, NË DHJETËVJETORIN E RËNIES SË DËSHMORIT GJERGJ SOKOLI


Në pesëvjetorin e rënies së Gjergj Sokolit, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Ai u vra nga armiku në ditët kur miqtë tanë të udhëhequr nga SHBA u vunë në mbrojtje të vendit tonë. Ai i pa shkëndijat e lirisë, që u kurorëzua më 12 qershor të vitit 1999, me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Pra, Ai ndërroi jetë me shpirt të lehtësuar, sepse e shihte agun e lirisë.


E nderuara familje Sokoli,

I nderuar zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Ramë Manaj,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, 

I. 

Pranvera e vitit 1999 ka qenë pa dyshim më e rënda në historinë e Kosovës. Duke e parë se shekullit të sundimit të saj okupues në Kosovë po i vinte fundi, Serbia filloi përpjekjen e fundit për ta zhbërë Kosovën dhe popullin e saj shumicë. Me strategjinë e shndërrimit të Kosovës në tokë të djegur, Serbia kreu krime të tmerrshme kundër njerëzimit, dogji e shkretoi qindra-mija shtëpi, shkolla e objekte të kultit dhe dëboi afër një milion shqiptarë nga vatrat e tyre. 

Si në çdo tragjedi tjetër, edhe në tragjedinë e Kosovës të pranverës së vitit ’99, pati shumë ngjarje të cilat e tronditën ndërgjegjen njerëzore të botës së civilizuar, sepse përmasa e jehonës së tyre kapërcen çdo kufi kohe e hapësire. Pa dyshim, e tillë ka qenë edhe masakra e Mejës e prillit të atij viti, ku forcat serbe vranë dhe masakruan rreth 500 civilë shqiptarë. Në ato ditë të rënda u vra edhe Gjergj Sokoli, aktivist politik, deputet dhe luftëtar i luftës së fundit të Kosovës për liri e pavarësi.

II. 

Ndonëse ishte vëllai i vetëm i tetë motrave dhe baba i katër fëmijëve, Gjergji nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë e tij. Si njëri ndër aktivistët më të shquar në rrethinën e Gjakovës dhe në nivel të Kosovës që nga fillimi i viteve ’90, në zgjedhjet e dyta nacionale, më 1998, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, ishte edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje Kushtetuese.

Pra, Gjergji kontribuoi në ndërtimin e institucioneve shtetërore të vendit tonë. Pikërisht për shkak të veprimtarisë së tij kombëtare e shtetërore, regjimi serb vazhdimisht e keqtrajtoi, e burgosi dhe e përndoqi. Por, vuajtjet nuk e demoralizuan Gjergji asnjëherë. Përkundrazi, ai e intensifikoi angazhimin e tij me të shpërthyer lufta në Drenicë; u mobilizua në mesin e aktivistëve që ndihmonin për evakuimin dhe strehimin e popullsisë së përndjekur dhe bashkë me aktivistët e tjerë, mbante bashkëpunim të vazhdueshëm me ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zona të ndryshme të luftimeve. 

Kur filluan sulmet e NATO-s, Gjergj Sokoli ndodhej në mesin e ushtarëve të UÇK-së në regjionin e Rekës së Keqe, ndërsa familja e tij ishte përndjekur bashkë me banorët tjerë të Rekës së Keqe përtej kufirit. 

Vrasësit e Gjergjit u përpoqën ta fshehin krimin, por, pas luftës, Tribunali i Hagës e zhvarrosi trupin e Gjergjit dhe e dërgoi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Rahovec, ku pas analizës së testit të ADN-së u bë identifikimi i tij. 

III. 

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Gjergj Sokoli gjithë jetën dhe veprën politike, shtetërore dhe luftarake ia kushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ai punoi edhe në fushën e solidaritetit midis qytetarëve tanë, si njëri nga dimensionet më njerëzore të vendit tonë. U dallua me fjalën e urtë edhe në pajtimin e ngatërresave dhe gjaqeve. Shkurt, Gjergji ishte një njeri që me vullnet dhe me vetëdije të plotë iu fal atdheut të tij për të cilin sakrifikoi edhe jetën. 

Në pesëvjetorin e rënies së Gjergj Sokolit, Presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova theksonte: “Ai u vra nga armiku në ditët kur miqtë tanë të udhëhequr nga SHBA u vunë në mbrojtje të vendit tonë. Ai i pa shkëndijat e lirisë, që u kurorëzua më 12 qershor të vitit 1999, me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Pra, Ai ndërroi jetë me shpirt të lehtësuar, sepse e shihte agun e lirisë. Ky është fati i burrave trima, siç ishte Gjergj Sokoli. Ata gjithmonë sjellin fat dhe lumturi për brezat që vijnë pas tyre”.

Duke pasur si motivacion shëmbëlltyrën e Gjergj Sokolit, veprimtarinë e tij të pareshtur politike e kombëtare, si dhe trimërinë e treguar në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në bazë të kompetencave që kam si President i vendit, kam marrë vendim që Gjergj Sokolin ta dekoroj më Medaljen “Luftëtar i Lirisë - Adem Jashari”. Zoti e bekoftë Gjergj Sokolin. Zoti e bekoftë Familjen Sokoli.

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj.

 

FJALË RASTI E NËNKRYETARIT TË LDK DHE DEPUTET I PARLAMENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, Z. KOLË M. BERISHA,

E MBAJTUR MË 14. 09. 2003 NË SHHTËPINË E KULTURËS “ASIM VOKSHI” NË GJAKOVË ME RASTIN E RIVARRIMIT TË PROFESOR GJERGJ SOKOLIT


Të nderuar familjarë, bashkëmendimtarë e bashkëveprimtarë të 

Profesor Gjergj Sokolit,

Të nderuara familje të të rënëve dhe të pagjeturve 

Të nderuar pjesëmarrës të këtij Tubimi mortor,

Zonja dhe zotërinj,

Më lejoni që, së pari, Ju - familje e nderuar Sokoli, dhe të gjithë farefisit Tuaj të gjerë, të gjithë bashkëqytetarëve, bashkëmendimtarëve, bashkëveprimtarëve dhe bashkëluftëtarëve të profesor Gjergjit, t`ua përcjellë ngushëllimet më të thella të presidetit Rugova, të Kryesisë, dhe të Këhillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Nëse këto ditë, muaj dhe vite të pasluftës, te ndonjëri nga ne vërejmë lodhje, të kemi mirëkuptim, ju lutëm: na është lodhë shpirti nga pesha e rëndë e dhembjës për ata që na i mori lufta dhe nuk i kemi më në mesin tonë. 

Katër vjet pritje, ankth, shpresë, kërkime, zhvarrime e rivarrime, janë një shekull i tërë. Nëse në ecjet tona të përditëshme na rëndohet hapi, të kemi mirëkuptim, ju lutëm: nga pikëllimi i thellë për humbjen e të dashurëve tanë, në ne ka filluar mplakja e parakohshme. Sot në Kosovë, të vetmit punëtorë që punojnë, madje me orar të zgjatur të punës, janë varrëtarët. Nëse na ngryset  fytyra e na shtohen rrudhat në ballë, të kemi mirëkuptim, ju lutëm: Sot jemi më të vegjël. Më të pakët. Më të varfër jemi edhe për një Njeri. Edhe për një bashkëmendimtar dhe  bashkëndërtimtar të shtetit të Kosoves, edhe për  një profesor e pedagog  të shkëqyeshëm.

Nëse për një moment, na shtjerret zëri, të kemi mirëkuptim, ju lutëm: Sot, mori fund pritja dhe ne këtu po ndahemi nga bashkëshorti, nga prindi, nga vëllau, nga miku, nga atdhetari i shquar,  profesor Gjergji.

Nëse na dridhët buza dhe na trathton loti, merreni si të natyrshme, ju lutëm, sepse ku ka dashuri ka edhe lot.

Por, edhe nëse ndodhë që ta ngrisim kokën lartë, sërish të kemi mirëkuptim, ju lutëm: jemi krenar që e patëm në mesin tonë këtë burrë të madh të Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Nuk janë këto vargje të ndonjë poezie,

Por, janë këto një krater  i një vullkani dhembjeje dhe krenarie.

Me Gjergjin u njohem në ato kohët e errëta e të serta. U njohem në kohën e atyre farë gjendjeve (aq të shpeshta, madje, pothuaj se, të pandërprera) të jashtëzakonshme, të orëve policore dhe të administrimeve ushtarke.  Pra, Gjergjin e njoha mu aty ku njihen burrat – ata burrat e vërtetë te Kosovës. E, Gjergji ishte i tillë, njëri ndër të rralltë. Takimet me Gjergjin, të shumtën, ishin zyrtare. Gjithmonë, disi kishim pak kohë. Atë e prisnin nxënësit e tij, të cilët aq shumë i deshi dhe e deshën. E priste puna,  e priste aktiviteti politik në kryesinë e Degës së LDK në Gjakovë, e priste  njësiti i logjistikës për furnizim të luftëtarëve të lirisë. Atëbotë, Gjergji ishte i angazhuar në shumë fronte dhe kishte shumë obligime. Profesor Gjergji,  nuk jepte urdhëra. Ai, nga eprori i tij pranonte dhe zbatonte udhëra. Nuk ndante detyra por i pranonte dhe, me peërgjegjsi i kryente ato. S’do mend se sikundër edhe cdo veprimtar tjetër, edhe profesor Gjergji ishte i vetëdijshëm se cdo veprim i tij përcillej në cdo hap nga organet e dhunës dhe të  represionit që ushtronheshin atëbotë nga fallanga serbe mbi ne, mbi popullatën civile – duarthatë. Profesor Profesor Gjergji, ishte i vetëdijshëm se nga forcat ushtarako-policore, mund të kapej, të maltretohej dhe edhe të ekzekutohej, sikundër që edhe ndodhi. Por, ai, shpeshher thoshte: “Është mirë të jemi të kujdesshëm dhe te mos bijmë lehtë në duar të tyre por, aksionin, me cdo kusht, pra edhe me cmimin e jetës, duhet kryer”, që, në një interpretim të lirë, do të thotë se, Gjergji ishte racionalist, dhe  në mënyrë racionale mendonte dhe vepronte. Gjergji ishte njeri i  aksionit, dhe i  iniciativave. Ishte burrë i fjalës dhe i besës. Ishte i afërt për mikun, por i pakompromis për armikun. Së këndejmi, Gjergjin e vrau fjala, besa, puna  dhe vepra e tij. E vrau përkushtimi i tij për lirinë. 


E nderuara familje Sokoli, Të nderuar  të pranishëm 

Gjergjin sikundër edhe shumë gjergja të tjerë anë e mbanë Kosovës, e vrau përcaktimi dhe përkushtimi i tij për mëvetësinë e Kosovës. 

E vrau gadishmëria e tij për sakrificë.

Gjergjin e vranë ata që donin ta vrisnin Kosovën.

Por, gjaku i Gjergjit dhe i dhjetëra mijëra të tjerëve si ky, janë garanca më e mirë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Gjergjin dhe për të gjithë të rënët tjerë.

U qoftë i lehtë dheu i Kosovës

Lavdi!


Kliko ne Faqen tjeter Gjergj Pjeter Sokoli Recensione

Ju falemnderit,jepni mbresat tuaja te Gästebuch-Libri i vizitorve ose pelqejeni ne Facebook Ju falenderoj nga zemra për komentet e juaja të sinqerta!

Nach oben